DOKTOR GOZHDA – DINE KADIU GOZHDA
Më
ndjeni që nuk u prezantova me ju siç i ka hije një zotërie si ju, por duhet të
më kuptoni dhe ndonjëherë të vinit veten
në pozitën time. Nuk kërkoj thjeshtë pak vëmëndje të më dëgjoni deri në fund.
Ndoshta tregohem pak i bezdisshëm por nuk ka mënyrë më të mirë që të dëgjohesh.
Ndoshta me këtë metodë imponuese nuk ja mbush mëndjen tjetrit por të paktën ja
arrijë qëllimit që të shprehem. Nuk e di se nga e kam përvetsuar këtë metodë, ndoshta
ka lindur si rrjedhojë e paragjykimit të të tjerëve kundrejt meje si një njeri
pa karakter, ose kur kuptuan se ndjehesha shumë i ofenduar, e ndryshuan
shprehjen duke thënë se kisha karakter por jo aq të qëndrueshëm sa mund të
quhesha një njeri normal. Ndaj vendosa të shpikë një metodë sepse nga karakteri
nuk më vlersonte njeri. Gjithmonë e kam çmuar veten si shqiptar. Gjithmonë më
është dukur vetja superior kur flisnim për historinë e kombit tonë. Në shkollë
e në jetë gjithmon i jemi rikthyer paraardhësve tanë. I rikthehemi se na pëlqen
të shikojmë veten në atë pasqyrë që kanë vendosur para nesh dhe ku duhet të
shohim gjendjen tonë. Ne nuk i kemi dëgjuar kurrë zërat e tyre, por janë ata
tek të cilët ne kemi më shumë besim. Besim për vetë faktin se kanë guxim që të
na i thonë gjërat ashtu siç janë, madje ata shprehen dhe mbi terapinë që i
duhet shoqërisë tonë për tu shëruar. Shoqëria janë zotëri i nderuar, në këtë
momente që po flasim, edhe pse e kërcënuar psikologjikisht dhe ekonomikisht,
përsëri i hedh sytë nga qielli duke shpresuar tek “Hyjnitë” që sipas meje janë
të mëshiruar në politikanët që i udhëheqin. Madje zotëria juaj, këta shkojnë e
mbushin rradhët e “Olimpit” të tyre për t’i nderuar ashtu siç i ka hije një “Hyjnie” të vërtetë.
Për “Olimp” këta “Hyjni” preferojnë të kenë sheshet, bulevardet, të mbushin
sallat, ku guxojnë që me një cinizëm të theksuar të kërkojnë mbështetje për
inat të kundërshtarve, ndërsa vetëm kundërshtarët e kanë fajin për këtë gjendje
dhe jo vetë ata, sepse demek “Hyjnit” nuk gabojnë kurrë!
Zotëria ime gjithmonë jam habitur me këtë mënyrë sjelljeje
të popullit tim. Gjithmonë kam dashur të di arsyhet se pse gjithmonë ndodh
kështu. Pse bashkëatdhtarët e mi nuk i kanë hapur sytë ashtu siç duhet dhe të
shikojnë pa rezerva apatinë e thellë që
kemi mbi shpinat dhe shpirtrat tanë. Pse
nuk gjejmë edhe ne guximin , sikurse edhe popujt e lashtë, që kur Hyjnitë e
tyre nuk i përgjigjeshin për paqe në kohë luftërash, për shira në kohë
thatësire, për akull e dritë në kohë të zymta, guxonin dhe ngriheshin me sëpat
në dorë të rrëzonin tempujt ku Hyjnitë e tyre strehoheshin. Jo se ne shqiptarët
s’jemi aq të aftë sa të krahasohemi me ta, edhe nuk është se jemi shumë mbrapa
për nga vlerat që mbartim, as se nuk mundemi që të krijojmë një shoqëri të
konsoliduar me bazë kulturën tonë, të bashkuar e të solidarizuar. Përkundrazi,
siç ju tregova dhe pak më parë, ne pretendojmë se jemi një popull i lashtë dhe
si i tillë ne kemi shumë virtyte të mbartura që nga koha kur nuk mbahet mend
dhe dija nuk kishte arritur ende të perceptonte dritën e mëndjes. Virtyte këto
miku im që shpesh herë na bëjnë të ndihemi krenar që jemi shqiptar. Megjithatë
duke u nisur nga kthjelltësia e mëndjes sime dhe metoda që përdor, pasi
karakterin nuk mund ta nxjerr në pah për shkak të paragjykimeve pa fund që
krijohen dhe shprehen nga kushdo, them
se kësaj shoqërie që prej kohësh xhiron në vend i mungon një virtyt mjaft i
domosdoshëm. Them se virtyti që i mungon popullit tonë me histori e traditë dhe
që do të shërbente si katalizator, është
ai i njohjes së të metave të tij. Virtyt mjaft thelbësor, gjithmonë sipas
gjykimit tim, i cili do të na bënte të ndiheshim të penduar, që të ulnim kokën,
por e rëndësishme është që do ta shihnim njëri – tjetrin drejt e në sy, çka do
të na bënte edhe më të guximshëm. Për ju që do të pyesnit nëse kjo që sapo
thashë do të ulte kryeneçësinë që karakterizon shqiptarin, sepse të tillë e
kemi me bollëk, për arsye se të meta kemi të gjithë dhe me tepricë, unë them se
po! Por ky pranim i të metave nuk do ta bllokonte edhe më shoqërinë tonë
gjithashtu do të na rriste edhe më shumë sigurinë dhe dëshirën për ndryshimet
që mezi i presim por që fatkeqsisht, ashtu siç ju thashë, i presim me sytë të
drejtuar lart nga qielli. I dashur për mua ky është një gabim i rëndë ndaj nuk
rri dot pa folur dhe për këtë kam përvetsuar dhe një metodë se nuk mund ta
duroj faktin që ne nuk arrijmë ta kuptojmë se vullnetin dhe dëshirën për këtë
ndryshim e kemi ne dhe jo “Hyjnitë” tanë që rrinë dhe sodisin lart nga qielli.
Më vjen shumë inat me thënë të drejtën sepse jemi ne që duhet të shohim këto të
meta dhe njëkohësisht do të gjenim guximin të ndreqnim padrejtësitë. Do të
merrnim guximin që të zhduknim njëherë e përgjithmonë këto të meta që na pengojnë
të bëhemi një shoqëri e bashkuar dhe e solidarizuar. Jemi ne dhe askush tjetër
që e kemi gatuar këtë çorbë dhe si rrjedhojë jemi të detyruar për ta ngrënë.
Nuk duhet harruar gjithashtu që jemi ne që duhet ta marrim njëherë e
përgjithmonë fatin në duart tona dhe të vendosim se ç’duhet të bëjmë më tej për
të mirën tonë. Aspak s’duhet të lejojmë të tjerët të vendosin për fatet tona
por vetë ne, me ndërgjegje dhe me vetëdije të plotë, mund t’i tregojmë vendin
që i takon kujtdo që përpiqet të na marrë nëpër këmbë vlerat tona më të mira.
Më fal se ndoshta fola shumë. Nuk
është se e bëra me qëllim që të mos ju jepja juve mundësinë të shpreheni mbi këtë
çështje. Por siç e shikoni e pata nga frymëzimi dhe kjo vjen nga delli im që
kam për patriotizmin. S’të kuptova! Të duket qesharake kjo që po të them? Është e vërtet ajo që sapo thashë.
Patriotizmi dhe atdhedashuria më duket si diçka e lënë pas dore nga
bashkqytetarët e mi, ndaj dhe unë e kam përvetsuar dhe i kam futur në metodën
time efikase. Ndoshta im atë nuk ka gabuar kur më ka vendosur këtë emër që kam.
Si nuk ju jam prezantuar ende? Oh më fal. Ndoshta u tregova i pasjellshëm por
zakonisht nuk prezantohem me emër sepse për mua e rëndësishme është ajo që them
dhe veprat që bëj. Po, po! Pasi nuk kam mënyrë tjetër për të rënë në sy, pasi
po të nisem nga karakteri nuk më lënë paragjykimet. Më fal që e zgjata prap.
Unë jam Dine Kadiu Gozhda. Ç’ne kjo mimikë? Po, quhem Dine Kadiu Gozhda. Im atë
ka dashur që të bëhem njeri i respektuar, ku emri im të përmendej në çdo bisedë
e tavolinë si etalon i dinjitetit dhe i virtytit. Po, mos u çudit. Ndaj më ka
vendosur këtë emër. Ka dashur që të bëhem patriot i madh që ti shërbej atdheut.
Sipas gojëdhënave stërgjyshi im ka qenë Kadi i respektuar në këto anë dhe i
dëgjohej fjala kudo. Ndaj dhe ne si familje kemi trashëguar këtë mbiemër.
Ndërsa im atë më ka vënë këtë emër që të
mos humbasë kujtimi i gjyshit tim Dine. Po, Dine Kadiu quhej gjyshi im dhe ka
qenë i respektuar nga të gjithë. Thojnë që ka ndihmuar këdo që ka kërkuar
ndihmë dhe i ka shtruar sofrën kujtdo që i është paraqitur tek pragu i derës,
nuk ka lënë asnjë të pastrehë në kohë shirash jashtë si dhe ka veshur çdo
këmbëzbathur që ka hasur në rrugën e tij. Madje ka vajtur deri aty sa në
kohën luftës ka ndihmuar çdo njeri që i rrezikohej jeta
pasi gjyshi im jetën e tjetrit e konsideronte të shenjtë dhe se ajo duhet të
merrej vetëm nga Zoti. U bë aq emër i dëgjuar sa në darkat e familjeve të kësaj
ane emri Dine Kadiu nuk mund të lihej pa u përmendur. “Shko tek Dinja se do të ndihmojë. Thuaj Dinjes për hallin që ke se do
të të gjendet. Tek Dinja mund të gjesh strehën dhe ngrohtësinë e munguar”. Këto
ishin fjalët që dëgjoheshin çdo ditë në pazar. Po, ndaj dhe im atë më vuri
emrin Dine Kadiu që të bëhesha njeri i respektuar dhe patriot i madh. Ndoshta
se ka pasur gabim për këtë të dytën pasi patriotizmin e kam përvetsuar duke e
futur në metodën time, ndërsa për të parën besoj se është nxituar kur e ka
menduar. Po është nxituar se kur kam lindur nuk më ka parë me vëmendje dhe të
vinte re fytyrën time që e kam pak të shtrembër. Pse çuditeni zotëri i nderuar?
Besoj se ky është tipari i parë që të tjerët vënë re tek unë. Po dhe siç e shikoni kam pak fytyrën e
shtrembër dhe kjo është ndoshta burimi i të gjithë paragjykimeve. Jo ndoshta
por besoj se është burimi kryesor i të gjithave paragjykimeve ndaj meje dhe
karakterit tim që nuk më jep mundësin të shpreh lirshëm atë çka dua. Po!
Ndoshta edhe kur të tjerët më vunë nofkën “Gozhda” u nisën nga ky tipar. Jo
ndoshta, por besoj se kështu është. Si ka pëlqyer tipari i fytyrës time të
shtrembur ndaj dhe më vunë këtë nofkë. Zotëri siç ju thashë, unë quhem Dine Kadiu
Gozhda. Po dhe duhet që të kuptosh që unë nuk kam gisht fare në emrin tim, çdo
gjë ma kanë servirur të tjerët. Të ishte për mua nuk do t’i vendosja vetes këtë
emër por diçka më moderne sepse nisur nga ky emër të tjerët kanë marrë guxim të
më vendosin edhe nofkën duke më kthyer në këtë mënyrë në një personazh
tregimesh dhe barcoletash sepse në këtë mënyrë do ta kishin më të lehtë me
paragjykimet e tyre. Siç e kupton merita ime është zero në këtë punë, janë ata
që janë marrë me mua dhe me karakterin tim, ndaj dhe mua më duhej të përvetësoja
diçka ndryshe nga të tjerët. Gozhda më kanë quajtur që në fëmijëri, që në
bankën e parë të shkollës që jam ulur. E vunë re fytyrën e shtrembër dhe më
quajtën Gozhda. Kështu nisi çdo gjë nga aq sa më kujtohet dhe nga ajo ditë unë
isha kudo me këtë nofkë në bisedat e tyre. Filluan të kishin shumë paragjykime
dhe filluan të më distanconin çdo ditë. Kuptova që kështu nuk mund të vazhdoja
dhe vendosa të marr vetë i pari inciativën. Vura re se ishin me dy fytyra sepse
kur i shprehja dashurinë që kisha ndaj tyre, ata ndjenin dhembshuri ndaj meje
dhe më afronin. Pavarsisht kësaj, në momentin që largohesha ata ktheheshin në
origjinën e bisedave me në krye emrin tim. Në shkollë kam qenë gjithmonë i zoti
dhe për këtë më ka ndihmuar dëshira ime për dije sepse po të nisesha nga të
tjerët do të kisha ngelur shumë pas. Jam përpjekur të jem gjithmonë i pari në
mësime pasi e shikoja si shpëtimin tim nga paragjykimet e të tjerëve ndaj
karakterit tim. Them se deri diku ja kam arritur qëllimit. Gjithsesi nuk
ndryshonte gjë. Nofka Gozhda më ndiqte kudo dhe unë kuptova që nuk mund të
shpëtoja më. Sa më shumë dije përvetësoja aq më shumë paragjykime kishte ndaj
meje. Edhe pse mundohesha të qetësoja zemrën me përvetësimin e dijes, përsëri
vuante sepse arsyeja ime helmohej nga paragjykimet. E kuptova që ishte e
nevojshme që unë të thoja fjalën e fundit në çdo bisedë sepse përndryshe çdo
arsyeje mund t’i kundërvihej një tjetër dhe kështu s’kisha për të dalë
asnjëherë fitues dhe s’kisha për të plotësuar asnjë herë dëshirë timen, dhe për
të arritur këtë vendosa të bëhesha një njeri me pushtet sepse pushteti i zgjidh
të gjitha. Për të arritur këtë qëllim kuptova fillimisht që duhet të kisha
mbaruar të paktën shkollën e lartë, ndaj iu përvesha mësimeve dhe dijes.
Kurdoherë doja të isha i pari i klasës pavarsisht paragjykimeve dhe nofkës
sime. Aq nxënës i dalluar u bëra saqë edhe kur më thërrisnin në mësim më
thërrisnin Gozhda. Gjithsesi unë shikoja synimet e mia. Mbarova me sukses
gjimnazin dhe fitova të drejtën për studime në universitet. Vitet e
universitetit i kisha shumë të ngarkuara dhe pothuajse i humba kontaktet me të
tjerët pasi interesi im ishin librat. Doja të isha student i mirë dhe t’ja
dilja mbanë aty ku bashkëmoshatarët e mi kishin dështuar. Deri diku ja arrita
qëllimit dhe ja arrita ta mbaroj universitetin me sukses. Nga ky moment kuptova
që isha gati të fitoja pushtet dhe për këtë më duhej një parti. Vendosa të
bëhesha opozitar sepse po të shkoja pas partisë në pushtet mendoja se do të më
quanin servilë dhe, unë, nuk doja një nofkë të dytë. Për rrjedhojë unë vendosa
të bëhesha opozitarë i zellshëm. Fillova të merrja pjesë në çdo takim të
partisë opozitare dhe po më pëlqente. Fillova edhe të organizoja evente dhe
takimet për partinë. E kuptova që po krijoja mbështetje por isha larg pushtetit
ndaj vendosa të bëj një fakultet të dytë që të isha më i ditur se të tjerët dhe
më i përgatitur. Çdo gjë po shkonte më së miri. Edhe pse isha pa punë, edhe pse
kisha dy fakultete, edhe pse rrija kot ndonjëherë, të paktën plotësoja nevojat
e dëshirës time për politikën dhe pushtetin. Për të plotësuar ditën lexoja
gazeta dhe shkrime, dëgjoja opinione dhe lajme në mënyrë që të isha i
përgatitur kur të vinte partia në pushtet. Fillova të merrja pjesë nëpër
mitingje e protesta, të isha i ftuar nëpër festat e partisë. Nuk mungoja në
asnjë eveniment. Po ndjeja siguri në rrugën që kisha filluar duke e ndjekur me
zell pavarësisht paragjykimeve të të tjerëve. Aq shumë kisha filluar të bija në
sy saqë edhe njerëzit që i njihja dhe kisha shumë besim filluan të talleshin
dhe të më vinin nofka të tjera. Më quanin puçist sepse merrja pjesë në protesta
apo demostrata, të drejtë kishin në fund të fundit, unë isha nëpër aksione
politike, rrezikoja çdo gjë madje edhe jetën time, ndërsa ata hanin petulla të
ngrohta në shtëpi duke parë show nga televizori. Më quanin injorant që merresha
me opozitarizëm pasi kur unë protestoja të tjerët hanin dreka falas nëpër
restorante falë pushtetit që zotëronin. Filluan të më vinin lloj e lloj
nofkash. Unë përsëri nuk ndaloja, madje fillova të merresha akoma edhe më
shumë. Fillova të shqetësohesha për hallet e popullit tim. Ku kishte probleme
unë isha aty, në çdo manifestim, në çdo protestë të sindikatave, në çdo
peticion të shoqërisë civile. Nofkat nuk mu ndan, por unë vazhdoja të ecja
krenar duke mbrojtur interesat e bashkëatdhetarve të mi ku për mua u kthyen në
burimin frymëzimit të burimeve të ditëve të mia boshe. E bëja këtë duke
ndërgjegjsuar veten, pasi mendoja se duke arritur një gjë të tillë me veten, më
vonë do të isha i aftë të ndërgjegjsoja edhe pjesën tjetër të njerëzve që më
rrethonin. Fillova të ndjehesha shumë krenar me veten. Kokën e mbaja gjithmonë
lart kur ecja rrugëve të qytetit tim. Më interesonte të mbroja çdo kauzë, t’i
dilja përballë çdo problemi që mund të hasnin të tjerët dhe që unë mund të
kisha mundësi t’i ndihmoja. Megjithatë kjo nuk i ndalonte të tjerët me
etiketimet ndaj meje dhe me lejfenizmat e tyre. Unë pa punë dhe puçist, ata me
punë dhe spiunë. Unë pa punë si injorant, ata me punë si të paaftë. E kuptova
pse merreshin me mua pse më ofendonin, pse më vendosnin nofka, pse përdornin
fjalë fyese ndaj meje. Thjesht kërkonin një vend pune dhe për këtë ishin të
gatshëm të shisnin edhe shokun. Për më tepër kuptova se për ta nuk kishte
rëndësi nëse protestoje si opozitar, luftoje për të drejtat e njeriut, ngrije
zërin për të mbrojtur pasuritë kombëtare që fundja fundit i përkiste edhe
atyre, por ata thjesht kërkonin një gjah të lehtë për ta kapur, në mënyrë që të
plotësonin interesat e tyre dhe mesa duket unë isha i përkryeri për ta. Me
thënë të drejtën nuk më interesonte se çfarë thonin sepse unë doja të plotësoja
synimin tim që ishte pushteti dhe për këtë qëllim kisha partinë time opozitare.
Pavarsisht ngrohtësisë që gjeja tek partia ime, mbrojtjes që më ofronte, kisha
gabuar në diçka thelbësore, kisha harruar që partia ime përbëhej nga njerëz. Ndoshta
për këta nuk isha puçist, injorant, legen apo ku ta di unë, por kuptova që për
ta unë isha Gozhda. Po zotëri, për ta isha Gozhda. As aty nuk munguan
paragjykimet. Nuk arrita ta kuptoj kurrë këtë sjellje pasi ne ishim njerëz të
bashkuar në këtë parti mbi parimet e një ideali të përbashkët dhe pa interesa
të tjera. Por kuptova që isha gabuar. Çdo pjestar aty kishte qëllim pushtetin,
edhe unë e kisha qëllimin e tillë, por doja ta përdorja pushtetin për të
zgjidhur gjithçka. Kuptova që ato e
donin pushtetin për qëllime të tjera, të paktën kështu më duket mua. Po, po
zotëri mos u çudit! Nuk është se dua të ul poshtë vlerat e opozitarëve si puna
ime, por kështu më duket. Nisur kjo nga fakti se e kam provuar mbi vete. Po,
kjo filloj në momentin kur unë fillova të kërkoj poste drejtuese në parti. Nga organizator desha të bëhesha drejtues
pasi vetëm në këtë mënyrë mund të bëhesha pjesë e pushtetit. Si duket ky synimi
im i fundit bëri që të tjerët të merreshin me mua, pavarsisht se i përkisnim të
njëjtës parti opozitare. Ndoshta për ta nuk ishte e lehtë të gëlltisnin një
drejtues si puna ime që kishte filluar nga hiçi dhe pavarsisht paragjykimeve ai
kishte arritur të dilte në pah dhe të bëhej një zë i fuqishëm brenda rradhëve,
të cilin nuk mund ta anashkaloje kollaj. Ndoshta ky rivalitet i shërbente
shëndetit demokratikë të forumit ku bëja pjesë, por unë jam i mendimit që
askush nuk ka të drejtë të mbys me të dy duart inciativën e të tjerëve, sidomos
kur bëhet fjalë për një garë të mirë përcaktuar me rregulla të shkruara. Zotëri
i nderuar, ndoshta unë bëj gabimin e rradhës duke gjykuar në këtë mënyrë por
nuk mund të rri dot dhe të mbys ndjenjën e mërzitjes që më ka zënë. E kuptova
që të fitosh një garë nuk është shumë e lehtë dhe duhet të përdorësh çdo lloj
mënyre për t’ja arritur qëllimit, pavarsisht nëse kjo mënyrë është e drejtë apo
jo. Kështu është gatuar tek ne. Çdokush mund të dalë fitimtar dhe të fitoj
pushtet pavarsisht sa i aftë është, sepse pushtetin e fiton jo duke përdorur
aftësitë e tij por duke përdorur lloj e lloj metodash e mënyrash të lejueshme
ose jo.
Unë si idealist nuk mund ta
gëlltisja një garë të tillë. Nuk mund ta pranoja të bëhesha si ta i
paskrupullt, i pamoralshëm, i pa drejtë me njerzit e afërt që punoja ndaj
vendosa të ndjekë një rrugë tjetër dhe që mendoja se ishte më e drejtë dhe më e
lehtë në përshkrimin e saj. Vendosa të merresha me rrugën akademike. Vendosa që të përvetësoja sa më
shumë dije. Në këtë mënyrë do të bëhesha i aftë në profesionin tim që do
zgjidhja dhe do bëhesha i respektuar nga të gjithë. Në këtë mënyrë do rrija
larg asaj shtrese njerëz që gjithmonë janë të gatshëm për bixhoz dhe për
kurvëri. Mua s’më pëlqen të dukem i dobët ndaj të tjerëve, ndaj vendosa të
merrja gradën “Doktor i Shkencave”
sepse pas kësaj mendoja se nuk do më krahasonin me personin tim të parë por do
të më thërrisnin Doktor dhe ky titull do t’i detyronte të tjerët të më
respektonin. Me këtë titull dhe me thjeshtësinë time do të arrija të shkëlqeja,
me përulsinë dhe urtësinë time do të arrija të mposhtja ç’do paragjykim dhe me
virtytet që do shpalosja, do të arrija të shtypja ç’do kënd që do më dilte
përpara me qëllimin për të më penguar rrugën të cilën e kisha nisur tashmë.
Studimet doktorale i mbylla me sukses. Të gjithë ngelën të mahnitur nga zelli
im për dijen. Në fund mora gradën e ëndërruar prej meje “Doktor i Shkencave”. Tani
mendoja se më në fund kisha arritur qëllimin tim. Fillova të interesohesha për
të ardhmen time akademike. Me titullin që kisha mund të filloja punë kudo. Doja
të filloja si pedagog por nuk ishte e lehtë. Në çastin kur fillova të konkuroja
për poste dhe vende pune në botën akademike vura re se kjo botë pavarsisht se
ishte më e ndriçuar me dije se të tjerat, nuk është se bënte diferencim të
madh. Duke qenë se më shikonin si konkurent
filluan të më thërrisnin Doktor Gozhda si analogji e aftësive të mia. Nuk u
mërzita sepse në fund të fundit edhe kjo botë përbëhej nga njerëz ku interesi i
tyre ishte të plotësonin nevojat e tyre. Gjithsesi për ironi unë tashmë isha
Doktor edhe pse këtij titulli i bashkangjitnin edhe nofkën time në mënyrë që të
ja zbehnin vlerën që ai mbartte. Zotëri i nderuar shpresoj mos t’ju kem
mërzitur me historitë e mia por duhet të kuptosh që unë rradhë gjejë bashkëmoshatar
që janë kaq të durueshëm dhe më dëgjojnë me kaq vëmendje si ti. Siç e keni vënë re për mua është e
rëndësishme që të dëgjoni atë ç’ka dua
të shpreh pasi nuk është se jam i aftë të imponoj mendimet e mia. Tani zotëri
dua t’ju flas pak për tregun e dështakëve që mesa duket kohët e fundit ka
filluar të vlersohet shumë, pasi nga rradhët e tij po marrim edhe mësimet më të
vyera për ecurinë e shoqërisë sonë. Duhet të më kuptosh zotëri që kjo dëshirë e
imja për të folur për këtë treg rrjedhë si rrjedhojë se askund tjetër përveç
këtij nuk arrita të fitojë respektin dhe famën që aq shumë e dëshiroja. Pasi
mbarova doktoraturën dhe fitova titullin “Doktor”
fillova të kërkoja për punë. Ishte shumë e vështirë të gjeje një të tillë dhe
pas një farë kohe pothuajse i humba shpresat. Doja edhe unë si gjithë të tjerët
të gjeja një punë dhe të bëja një jetë komode. Fundja fundit çfarë kisha unë
mangësi që nuk arrija të fitoja një punë, për më tepër që mbaja mbi shpatulla
edhe titullin “Doktor”. S’më besohej që
të tjerët ishin më të aftë se unë. Fillova të merresha sërisht me organizime
dhe të merrja pjesë në çdo iniciativë vullnetare si e si të kisha mundësinë të
pasuroja cv – në time. Por më kot, shpresat m’u shuan sërish. Kuptova që kështu
nuk shtyhej ndaj vendosa të futesha në tregun e dështakëve, si e vetmja
alternativë e mbetur dhe ndoshta atje do të kisha më shumë mundësi për një vend
pune. Fillova të bëhesha pjesë e këtij tregu. Në fillim nuk kuptoja se ku isha
dhe pjesë e kujt isha bërë. Fillova të takohesha çdo ditë me ata dhe të bëhesha
pjesë e bisedave të tyre. Me sa kuptova niveli i bisedave për ata nuk kishte
shumë rëndësi, e rëndësishme ishte të justifikonin dështimet e tyre dhe këtë e
arrinin shumë mirë duke përgojuar të tjerët.
Si duket ky ishte edhe çelësi i suksesit të tregut të dështakëve,
përderisa ishte një treg në lulëzim e sipër. Atëherë mendova se një gjë e tillë
nuk do të ndikonte në aftësitë e mia për keq, por se ky treg do të më
ndihmonte shumë për të arritur qëllimet
e mia. Në fund të fundit nuk kisha rrugë tjetër, vetëm tregu i dështakëve ishte
shansi i fundit pasi i kisha provuar të gjitha. U zhyta thellë në skutat e
këtij tregu saqë çdo ditë e më tepër harroja edhe shtëpinë time dhe kë kisha
nga pas. Çdo ditë kishim nga një personazh të ri për të kaluar në nivelet e
thashethemnajave të tregut pasi vetëm me këtë mënyrë mund të ishim të besueshëm
për një masë të gjerë blerësish. Ditët kalonin dhe unë kisha filluar të
ndjehesha shumë më mirë sa harrova faktin se isha i papunë. Arrita shumë shpejt
të përvetsoja teknikat e suksesit të këtij tregu. Fama ime u rrit shumë shpejt
dhe unë isha pikë referimi për këdo në treg. Emri i “Doktor” Gozhdës nuk mund të mungonte në asnjë tavolinë të këtij
tregu. Pas një kohe relativisht të shkurtër dhe pas famës që mora në treg,
arrita të siguroj një blerës të mirë, i cili më mori pranë punës së tij. Shkoja
çdo ditë në punën e re por nuk ndjehesha shumë rehat në atë ambjent. Atje
gjithë se kush shikonte punën e tij, ndërsa unë isha mësuar që gjithsecili duhet
të shikonte punën e të tjerëve. Nuk arrita të kuptoj se ku isha. Çdo ditë që
kalonte më bëri të kuptojë që blerësi im i preferuar kishte blerë në treg
thjesht një dështak me parametra zero, pasi unë nuk i hyja në punë askujt.Nuk arrita
të kuptoj se ku isha. Por më në fund blerësi im më shkeli syrin. Kemi një punë
për ty më tha. U çlirova që më në fund po bëhesha i dobishëm.
-A je intelektual, më tha.
-Na shpëtova më tha. Për këtë ditë
më duhesh. Na kanë kërkuar nga qeveria një peticion për të firmosur, por duhet
me profesion intelektual. Pyeta shefen e kuadrit dhe tha vetëm ty të kemi marrë
për këtë punë.
Firmosa pa u menduar. Dhe pas atij
moment ka nisur lavdia.
Shpresoj zotëri mos të jem bërë i bezdisur dhe mos t’ju kem mërzitur me fjalët
e mia. Të kuptoj që po nxiton ndaj dhe unë them ta mbyllim bisedën këtu. Jo nuk
keqkuptohem. E di që ke punë sepse gjithësecili ka problemet e tij. Të
falenderoj që më dëgjove dhe shpresoj të takohemi sërish dhe sa më shpejt. Ja
kalofshi mirë dhe ju uroj shëndet. Mirë u dëgjofshim.