Përshëndetje! Jam një djalë i ri nga Tirana. Nuk është e rëndësishme të tregoj emrin tim, mund të kem shumë emra në fakt. Mund të jem Ermiri, Floriani apo Denisa... Ç’rëndësi ka në fund të fundit? Më pëlqen zakonisht të flas për veten. Gjithë kohën rri kot. Jam pa punë, edhe pse kam mbaruar dy fakultete. Më pëlqen politika. Lexoj gazetën çdo mëngjes dhe dëgjoj lajmet në darkë. Besoj se nuk ka mënyrë më të mirë për të kaluar ditën. Më pëlqen të marr pjesë nëpër festa, mitingje, protesta, demonstrata. Edhe në 21 janar isha aty, në protestë para Kryeministrisë. Pas asaj rrëmuje të madhe, të cilës mezi i shpëtova, njerëzit që njihja, në shumë prej të cilëve edhe kisha besim, filluan të më thërrisnin puçist.
Ndoshta kishin të drejtë. Në fund të fundit, unë isha në bulevard, ndërsa ata hanin petulla të ngrohta në shtëpi duke parë shou nga televizori. I mërzitur nga ofendimet, nuk dija ç’të bëja. Firmosa në iniciativën e shoqërisë civile për referendumin kundër importit të plehrave. Dola edhe te KQZ-ja. Fillova të ndihesha më mirë, më i përfshirë. Më pëlqeu që rreshtohesha krah shoqërisë civile sepse njerëzit që njihja nuk më thërrisnin më me tallje puçist. Ndihesha më i lehtësuar. Por kisha harruar diçka. Ata s’më thërrisnin më puçist sepse s’kishin nge të merreshin me mua. Ndërsa unë vazhdoja të ecja krenar duke mbrojtur interesat e shoqërisë, të cilat për mua u kthyen në burimin e frymëzimit të ditëve të mia boshe. E bëja këtë duke ndërgjegjësuar veten, pasi mendoja se duke arritur një gjë të tillë me veten, më vonë do të isha i aftë të ndërgjegjësoja edhe pjesën tjetër të njerëzve që më rrethonin. Fillova të interesohesha për jetën e romëve, për fatin e parkut të Tiranës, për kufirin e detit në jug, për krizën ekonomike. Njerëzit që më rrethonin dhe që kisha besim te ta më shumë, nuk i kisha gjëkundi, mbase ishin sërish me pushime. Për t’u habitur! Mos më kishin harruar? Jo, nuk ishte e vërtetë. Sapo u kthyen, filluan avazin. Unë mbroja kauzat, ato vazhdonin etiketimet. Unë pa punë dhe puçist, ata me punë dhe spiunë. E kuptova pse më thërrisnin puçist. Thjesht kërkonin një vend pune dhe për këtë ishin të gatshëm të shisnin edhe shokun. Për më tepër kuptova se të jesh puçist dimëror apo puçist veror nuk është se ka ndonjë ndryshim të madh. Thjesht ke disa ditë qetësi më shumë. Shpresoj të më keni kuptuar. Mirupafshim!
No comments:
Post a Comment