Friday, January 25, 2013

Manifesti i Doktor Gozhdës


DOKTOR  GOZHDA – DINE KADIU GOZHDA


Më ndjeni që nuk u prezantova me ju siç i ka hije një zotërie si ju, por duhet të më kuptoni dhe ndonjëherë të  vinit veten në pozitën time. Nuk kërkoj thjeshtë pak vëmëndje të më dëgjoni deri në fund. Ndoshta tregohem pak i bezdisshëm por nuk ka mënyrë më të mirë që të dëgjohesh. Ndoshta me këtë metodë imponuese nuk ja mbush mëndjen tjetrit por të paktën ja arrijë qëllimit që të shprehem. Nuk e di se nga e kam përvetsuar këtë metodë, ndoshta ka lindur si rrjedhojë e paragjykimit të të tjerëve kundrejt meje si një njeri pa karakter, ose kur kuptuan se ndjehesha shumë i ofenduar, e ndryshuan shprehjen duke thënë se kisha karakter por jo aq të qëndrueshëm sa mund të quhesha një njeri normal. Ndaj vendosa të shpikë një metodë sepse nga karakteri nuk më vlersonte njeri. Gjithmonë e kam çmuar veten si shqiptar. Gjithmonë më është dukur vetja superior kur flisnim për historinë e kombit tonë. Në shkollë e në jetë gjithmon i jemi rikthyer paraardhësve tanë. I rikthehemi se na pëlqen të shikojmë veten në atë pasqyrë që kanë vendosur para nesh dhe ku duhet të shohim gjendjen tonë. Ne nuk i kemi dëgjuar kurrë zërat e tyre, por janë ata tek të cilët ne kemi më shumë besim. Besim për vetë faktin se kanë guxim që të na i thonë gjërat ashtu siç janë, madje ata shprehen dhe mbi terapinë që i duhet shoqërisë tonë për tu shëruar. Shoqëria janë zotëri i nderuar, në këtë momente që po flasim, edhe pse e kërcënuar psikologjikisht dhe ekonomikisht, përsëri i hedh sytë nga qielli duke shpresuar tek “Hyjnitë” që sipas meje janë të mëshiruar në politikanët që i udhëheqin. Madje zotëria juaj, këta shkojnë e mbushin rradhët e “Olimpit” të tyre për t’i nderuar  ashtu siç i ka hije një “Hyjnie” të vërtetë. Për “Olimp” këta “Hyjni” preferojnë të kenë sheshet, bulevardet, të mbushin sallat, ku guxojnë që me një cinizëm të theksuar të kërkojnë mbështetje për inat të kundërshtarve, ndërsa vetëm kundërshtarët e kanë fajin për këtë gjendje dhe jo vetë ata, sepse demek “Hyjnit” nuk gabojnë kurrë!
           Zotëria ime  gjithmonë jam habitur me këtë mënyrë sjelljeje të popullit tim. Gjithmonë kam dashur të di arsyhet se pse gjithmonë ndodh kështu. Pse bashkëatdhtarët e mi nuk i kanë hapur sytë ashtu siç duhet dhe të shikojnë pa rezerva  apatinë e thellë që kemi mbi shpinat dhe shpirtrat tanë.  Pse nuk gjejmë edhe ne guximin , sikurse edhe popujt e lashtë, që kur Hyjnitë e tyre nuk i përgjigjeshin për paqe në kohë luftërash, për shira në kohë thatësire, për akull e dritë në kohë të zymta, guxonin dhe ngriheshin me sëpat në dorë të rrëzonin tempujt ku Hyjnitë e tyre strehoheshin. Jo se ne shqiptarët s’jemi aq të aftë sa të krahasohemi me ta, edhe nuk është se jemi shumë mbrapa për nga vlerat që mbartim, as se nuk mundemi që të krijojmë një shoqëri të konsoliduar me bazë kulturën tonë, të bashkuar e të solidarizuar. Përkundrazi, siç ju tregova dhe pak më parë, ne pretendojmë se jemi një popull i lashtë dhe si i tillë ne kemi shumë virtyte të mbartura që nga koha kur nuk mbahet mend dhe dija nuk kishte arritur ende të perceptonte dritën e mëndjes. Virtyte këto miku im që shpesh herë na bëjnë të ndihemi krenar që jemi shqiptar. Megjithatë duke u nisur nga kthjelltësia e mëndjes sime dhe metoda që përdor, pasi karakterin nuk mund ta nxjerr në pah për shkak të paragjykimeve pa fund që krijohen dhe shprehen  nga kushdo, them se kësaj shoqërie që prej kohësh xhiron në vend i mungon një virtyt mjaft i domosdoshëm. Them se virtyti që i mungon popullit tonë me histori e traditë dhe që do të shërbente si katalizator,  është ai i njohjes së të metave të tij. Virtyt mjaft thelbësor, gjithmonë sipas gjykimit tim, i cili do të na bënte të ndiheshim të penduar, që të ulnim kokën, por e rëndësishme është që do ta shihnim njëri – tjetrin drejt e në sy, çka do të na bënte edhe më të guximshëm. Për ju që do të pyesnit nëse kjo që sapo thashë do të ulte kryeneçësinë që karakterizon shqiptarin, sepse të tillë e kemi me bollëk, për arsye se të meta kemi të gjithë dhe me tepricë, unë them se po! Por ky pranim i të metave nuk do ta bllokonte edhe më shoqërinë tonë gjithashtu do të na rriste edhe më shumë sigurinë dhe dëshirën për ndryshimet që mezi i presim por që fatkeqsisht, ashtu siç ju thashë, i presim me sytë të drejtuar lart nga qielli. I dashur për mua ky është një gabim i rëndë ndaj nuk rri dot pa folur dhe për këtë kam përvetsuar dhe një metodë se nuk mund ta duroj faktin që ne nuk arrijmë ta kuptojmë se vullnetin dhe dëshirën për këtë ndryshim e kemi ne dhe jo “Hyjnitë” tanë që rrinë dhe sodisin lart nga qielli. Më vjen shumë inat me thënë të drejtën sepse jemi ne që duhet të shohim këto të meta dhe njëkohësisht do të gjenim guximin të ndreqnim padrejtësitë. Do të merrnim guximin që të zhduknim njëherë e përgjithmonë këto të meta që na pengojnë të bëhemi një shoqëri e bashkuar dhe e solidarizuar. Jemi ne dhe askush tjetër që e kemi gatuar këtë çorbë dhe si rrjedhojë jemi të detyruar për ta ngrënë. Nuk duhet harruar gjithashtu që jemi ne që duhet ta marrim njëherë e përgjithmonë fatin në duart tona dhe të vendosim se ç’duhet të bëjmë më tej për të mirën tonë. Aspak s’duhet të lejojmë të tjerët të vendosin për fatet tona por vetë ne, me ndërgjegje dhe me vetëdije të plotë, mund t’i tregojmë vendin që i takon kujtdo që përpiqet të na marrë nëpër këmbë vlerat tona më të mira.
            Më fal se ndoshta fola shumë. Nuk është se e bëra me qëllim që të mos ju jepja juve mundësinë të shpreheni mbi këtë çështje. Por siç e shikoni e pata nga frymëzimi dhe kjo vjen nga delli im që kam për patriotizmin. S’të kuptova! Të duket qesharake kjo që po të them?  Është e vërtet ajo që sapo thashë. Patriotizmi dhe atdhedashuria më duket si diçka e lënë pas dore nga bashkqytetarët e mi, ndaj dhe unë e kam përvetsuar dhe i kam futur në metodën time efikase. Ndoshta im atë nuk ka gabuar kur më ka vendosur këtë emër që kam. Si nuk ju jam prezantuar ende? Oh më fal. Ndoshta u tregova i pasjellshëm por zakonisht nuk prezantohem me emër sepse për mua e rëndësishme është ajo që them dhe veprat që bëj. Po, po! Pasi nuk kam mënyrë tjetër për të rënë në sy, pasi po të nisem nga karakteri nuk më lënë paragjykimet. Më fal që e zgjata prap. Unë jam Dine Kadiu Gozhda. Ç’ne kjo mimikë? Po, quhem Dine Kadiu Gozhda. Im atë ka dashur që të bëhem njeri i respektuar, ku emri im të përmendej në çdo bisedë e tavolinë si etalon i dinjitetit dhe i virtytit. Po, mos u çudit. Ndaj më ka vendosur këtë emër. Ka dashur që të bëhem patriot i madh që ti shërbej atdheut. Sipas gojëdhënave stërgjyshi im ka qenë Kadi i respektuar në këto anë dhe i dëgjohej fjala kudo. Ndaj dhe ne si familje kemi trashëguar këtë mbiemër. Ndërsa im atë më ka vënë këtë emër  që të mos humbasë kujtimi i gjyshit tim Dine. Po, Dine Kadiu quhej gjyshi im dhe ka qenë i respektuar nga të gjithë. Thojnë që ka ndihmuar këdo që ka kërkuar ndihmë dhe i ka shtruar sofrën kujtdo që i është paraqitur tek pragu i derës, nuk ka lënë asnjë të pastrehë në kohë shirash jashtë si dhe ka veshur çdo këmbëzbathur që ka hasur në rrugën e tij. Madje ka vajtur deri aty sa në kohën  luftës  ka ndihmuar çdo njeri që i rrezikohej jeta pasi gjyshi im jetën e tjetrit e konsideronte të shenjtë dhe se ajo duhet të merrej vetëm nga Zoti. U bë aq emër i dëgjuar sa në darkat e familjeve të kësaj ane emri Dine Kadiu nuk mund të lihej pa u përmendur. “Shko tek Dinja se do të ndihmojë. Thuaj Dinjes për hallin që ke se do të të gjendet. Tek Dinja mund të gjesh strehën dhe ngrohtësinë e munguar”. Këto ishin fjalët që dëgjoheshin çdo ditë në pazar. Po, ndaj dhe im atë më vuri emrin Dine Kadiu që të bëhesha njeri i respektuar dhe patriot i madh. Ndoshta se ka pasur gabim për këtë të dytën pasi patriotizmin e kam përvetsuar duke e futur në metodën time, ndërsa për të parën besoj se është nxituar kur e ka menduar. Po është nxituar se kur kam lindur nuk më ka parë me vëmendje dhe të vinte re fytyrën time që e kam pak të shtrembër. Pse çuditeni zotëri i nderuar? Besoj se ky është tipari i parë që të tjerët vënë re tek unë.  Po dhe siç e shikoni kam pak fytyrën e shtrembër dhe kjo është ndoshta burimi i të gjithë paragjykimeve. Jo ndoshta por besoj se është burimi kryesor i të gjithave paragjykimeve ndaj meje dhe karakterit tim që nuk më jep mundësin të shpreh lirshëm atë çka dua. Po! Ndoshta edhe kur të tjerët më vunë nofkën “Gozhda” u nisën nga ky tipar. Jo ndoshta, por besoj se kështu është. Si ka pëlqyer tipari i fytyrës time të shtrembur ndaj dhe më vunë këtë nofkë. Zotëri siç ju thashë, unë quhem Dine Kadiu Gozhda. Po dhe duhet që të kuptosh që unë nuk kam gisht fare në emrin tim, çdo gjë ma kanë servirur të tjerët. Të ishte për mua nuk do t’i vendosja vetes këtë emër por diçka më moderne sepse nisur nga ky emër të tjerët kanë marrë guxim të më vendosin edhe nofkën duke më kthyer në këtë mënyrë në një personazh tregimesh dhe barcoletash sepse në këtë mënyrë do ta kishin më të lehtë me paragjykimet e tyre. Siç e kupton merita ime është zero në këtë punë, janë ata që janë marrë me mua dhe me karakterin tim, ndaj dhe mua më duhej të përvetësoja diçka ndryshe nga të tjerët. Gozhda më kanë quajtur që në fëmijëri, që në bankën e parë të shkollës që jam ulur. E vunë re fytyrën e shtrembër dhe më quajtën Gozhda. Kështu nisi çdo gjë nga aq sa më kujtohet dhe nga ajo ditë unë isha kudo me këtë nofkë në bisedat e tyre. Filluan të kishin shumë paragjykime dhe filluan të më distanconin çdo ditë. Kuptova që kështu nuk mund të vazhdoja dhe vendosa të marr vetë i pari inciativën. Vura re se ishin me dy fytyra sepse kur i shprehja dashurinë që kisha ndaj tyre, ata ndjenin dhembshuri ndaj meje dhe më afronin. Pavarsisht kësaj, në momentin që largohesha ata ktheheshin në origjinën e bisedave me në krye emrin tim. Në shkollë kam qenë gjithmonë i zoti dhe për këtë më ka ndihmuar dëshira ime për dije sepse po të nisesha nga të tjerët do të kisha ngelur shumë pas. Jam përpjekur të jem gjithmonë i pari në mësime pasi e shikoja si shpëtimin tim nga paragjykimet e të tjerëve ndaj karakterit tim. Them se deri diku ja kam arritur qëllimit. Gjithsesi nuk ndryshonte gjë. Nofka Gozhda më ndiqte kudo dhe unë kuptova që nuk mund të shpëtoja më. Sa më shumë dije përvetësoja aq më shumë paragjykime kishte ndaj meje. Edhe pse mundohesha të qetësoja zemrën me përvetësimin e dijes, përsëri vuante sepse arsyeja ime helmohej nga paragjykimet. E kuptova që ishte e nevojshme që unë të thoja fjalën e fundit në çdo bisedë sepse përndryshe çdo arsyeje mund t’i kundërvihej një tjetër dhe kështu s’kisha për të dalë asnjëherë fitues dhe s’kisha për të plotësuar asnjë herë dëshirë timen, dhe për të arritur këtë vendosa të bëhesha një njeri me pushtet sepse pushteti i zgjidh të gjitha. Për të arritur këtë qëllim kuptova fillimisht që duhet të kisha mbaruar të paktën shkollën e lartë, ndaj iu përvesha mësimeve dhe dijes. Kurdoherë doja të isha i pari i klasës pavarsisht paragjykimeve dhe nofkës sime. Aq nxënës i dalluar u bëra saqë edhe kur më thërrisnin në mësim më thërrisnin Gozhda. Gjithsesi unë shikoja synimet e mia. Mbarova me sukses gjimnazin dhe fitova të drejtën për studime në universitet. Vitet e universitetit i kisha shumë të ngarkuara dhe pothuajse i humba kontaktet me të tjerët pasi interesi im ishin librat. Doja të isha student i mirë dhe t’ja dilja mbanë aty ku bashkëmoshatarët e mi kishin dështuar. Deri diku ja arrita qëllimit dhe ja arrita ta mbaroj universitetin me sukses. Nga ky moment kuptova që isha gati të fitoja pushtet dhe për këtë më duhej një parti. Vendosa të bëhesha opozitar sepse po të shkoja pas partisë në pushtet mendoja se do të më quanin servilë dhe, unë, nuk doja një nofkë të dytë. Për rrjedhojë unë vendosa të bëhesha opozitarë i zellshëm. Fillova të merrja pjesë në çdo takim të partisë opozitare dhe po më pëlqente. Fillova edhe të organizoja evente dhe takimet për partinë. E kuptova që po krijoja mbështetje por isha larg pushtetit ndaj vendosa të bëj një fakultet të dytë që të isha më i ditur se të tjerët dhe më i përgatitur. Çdo gjë po shkonte më së miri. Edhe pse isha pa punë, edhe pse kisha dy fakultete, edhe pse rrija kot ndonjëherë, të paktën plotësoja nevojat e dëshirës time për politikën dhe pushtetin. Për të plotësuar ditën lexoja gazeta dhe shkrime, dëgjoja opinione dhe lajme në mënyrë që të isha i përgatitur kur të vinte partia në pushtet. Fillova të merrja pjesë nëpër mitingje e protesta, të isha i ftuar nëpër festat e partisë. Nuk mungoja në asnjë eveniment. Po ndjeja siguri në rrugën që kisha filluar duke e ndjekur me zell pavarësisht paragjykimeve të të tjerëve. Aq shumë kisha filluar të bija në sy saqë edhe njerëzit që i njihja dhe kisha shumë besim filluan të talleshin dhe të më vinin nofka të tjera. Më quanin puçist sepse merrja pjesë në protesta apo demostrata, të drejtë kishin në fund të fundit, unë isha nëpër aksione politike, rrezikoja çdo gjë madje edhe jetën time, ndërsa ata hanin petulla të ngrohta në shtëpi duke parë show nga televizori. Më quanin injorant që merresha me opozitarizëm pasi kur unë protestoja të tjerët hanin dreka falas nëpër restorante falë pushtetit që zotëronin. Filluan të më vinin lloj e lloj nofkash. Unë përsëri nuk ndaloja, madje fillova të merresha akoma edhe më shumë. Fillova të shqetësohesha për hallet e popullit tim. Ku kishte probleme unë isha aty, në çdo manifestim, në çdo protestë të sindikatave, në çdo peticion të shoqërisë civile. Nofkat nuk mu ndan, por unë vazhdoja të ecja krenar duke mbrojtur interesat e bashkëatdhetarve të mi ku për mua u kthyen në burimin frymëzimit të burimeve të ditëve të mia boshe. E bëja këtë duke ndërgjegjsuar veten, pasi mendoja se duke arritur një gjë të tillë me veten, më vonë do të isha i aftë të ndërgjegjsoja edhe pjesën tjetër të njerëzve që më rrethonin. Fillova të ndjehesha shumë krenar me veten. Kokën e mbaja gjithmonë lart kur ecja rrugëve të qytetit tim. Më interesonte të mbroja çdo kauzë, t’i dilja përballë çdo problemi që mund të hasnin të tjerët dhe që unë mund të kisha mundësi t’i ndihmoja. Megjithatë kjo nuk i ndalonte të tjerët me etiketimet ndaj meje dhe me lejfenizmat e tyre. Unë pa punë dhe puçist, ata me punë dhe spiunë. Unë pa punë si injorant, ata me punë si të paaftë. E kuptova pse merreshin me mua pse më ofendonin, pse më vendosnin nofka, pse përdornin fjalë fyese ndaj meje. Thjesht kërkonin një vend pune dhe për këtë ishin të gatshëm të shisnin edhe shokun. Për më tepër kuptova se për ta nuk kishte rëndësi nëse protestoje si opozitar, luftoje për të drejtat e njeriut, ngrije zërin për të mbrojtur pasuritë kombëtare që fundja fundit i përkiste edhe atyre, por ata thjesht kërkonin një gjah të lehtë për ta kapur, në mënyrë që të plotësonin interesat e tyre dhe mesa duket unë isha i përkryeri për ta. Me thënë të drejtën nuk më interesonte se çfarë thonin sepse unë doja të plotësoja synimin tim që ishte pushteti dhe për këtë qëllim kisha partinë time opozitare. Pavarsisht ngrohtësisë që gjeja tek partia ime, mbrojtjes që më ofronte, kisha gabuar në diçka thelbësore, kisha harruar që partia ime përbëhej nga njerëz. Ndoshta për këta nuk isha puçist, injorant, legen apo ku ta di unë, por kuptova që për ta unë isha Gozhda. Po zotëri, për ta isha Gozhda. As aty nuk munguan paragjykimet. Nuk arrita ta kuptoj kurrë këtë sjellje pasi ne ishim njerëz të bashkuar në këtë parti mbi parimet e një ideali të përbashkët dhe pa interesa të tjera. Por kuptova që isha gabuar. Çdo pjestar aty kishte qëllim pushtetin, edhe unë e kisha qëllimin e tillë, por doja ta përdorja pushtetin për të zgjidhur gjithçka.  Kuptova që ato e donin pushtetin për qëllime të tjera, të paktën kështu më duket mua. Po, po zotëri mos u çudit! Nuk është se dua të ul poshtë vlerat e opozitarëve si puna ime, por kështu më duket. Nisur kjo nga fakti se e kam provuar mbi vete. Po, kjo filloj në momentin kur unë fillova të kërkoj poste drejtuese në parti.  Nga organizator desha të bëhesha drejtues pasi vetëm në këtë mënyrë mund të bëhesha pjesë e pushtetit. Si duket ky synimi im i fundit bëri që të tjerët të merreshin me mua, pavarsisht se i përkisnim të njëjtës parti opozitare. Ndoshta për ta nuk ishte e lehtë të gëlltisnin një drejtues si puna ime që kishte filluar nga hiçi dhe pavarsisht paragjykimeve ai kishte arritur të dilte në pah dhe të bëhej një zë i fuqishëm brenda rradhëve, të cilin nuk mund ta anashkaloje kollaj. Ndoshta ky rivalitet i shërbente shëndetit demokratikë të forumit ku bëja pjesë, por unë jam i mendimit që askush nuk ka të drejtë të mbys me të dy duart inciativën e të tjerëve, sidomos kur bëhet fjalë për një garë të mirë përcaktuar me rregulla të shkruara. Zotëri i nderuar, ndoshta unë bëj gabimin e rradhës duke gjykuar në këtë mënyrë por nuk mund të rri dot dhe të mbys ndjenjën e mërzitjes që më ka zënë. E kuptova që të fitosh një garë nuk është shumë e lehtë dhe duhet të përdorësh çdo lloj mënyre për t’ja arritur qëllimit, pavarsisht nëse kjo mënyrë është e drejtë apo jo. Kështu është gatuar tek ne. Çdokush mund të dalë fitimtar dhe të fitoj pushtet pavarsisht sa i aftë është, sepse pushtetin e fiton jo duke përdorur aftësitë e tij por duke përdorur lloj e lloj metodash e mënyrash të lejueshme ose jo.
           
Unë si idealist nuk mund ta gëlltisja një garë të tillë. Nuk mund ta pranoja të bëhesha si ta i paskrupullt, i pamoralshëm, i pa drejtë me njerzit e afërt që punoja ndaj vendosa të ndjekë një rrugë tjetër dhe që mendoja se ishte më e drejtë dhe më e lehtë në përshkrimin e saj. Vendosa të merresha me rrugën akademike. Vendosa që të përvetësoja sa më shumë dije. Në këtë mënyrë do të bëhesha i aftë në profesionin tim që do zgjidhja dhe do bëhesha i respektuar nga të gjithë. Në këtë mënyrë do rrija larg asaj shtrese njerëz që gjithmonë janë të gatshëm për bixhoz dhe për kurvëri. Mua s’më pëlqen të dukem i dobët ndaj të tjerëve, ndaj vendosa të merrja gradën “Doktor i Shkencave” sepse pas kësaj mendoja se nuk do më krahasonin me personin tim të parë por do të më thërrisnin Doktor dhe ky titull do t’i detyronte të tjerët të më respektonin. Me këtë titull dhe me thjeshtësinë time do të arrija të shkëlqeja, me përulsinë dhe urtësinë time do të arrija të mposhtja ç’do paragjykim dhe me virtytet që do shpalosja, do të arrija të shtypja ç’do kënd që do më dilte përpara me qëllimin për të më penguar rrugën të cilën e kisha nisur tashmë. Studimet doktorale i mbylla me sukses. Të gjithë ngelën të mahnitur nga zelli im për dijen. Në fund mora gradën e ëndërruar prej meje “Doktor i Shkencave”.  Tani mendoja se më në fund kisha arritur qëllimin tim. Fillova të interesohesha për të ardhmen time akademike. Me titullin që kisha mund të filloja punë kudo. Doja të filloja si pedagog por nuk ishte e lehtë. Në çastin kur fillova të konkuroja për poste dhe vende pune në botën akademike vura re se kjo botë pavarsisht se ishte më e ndriçuar me dije se të tjerat, nuk është se bënte diferencim të madh. Duke qenë se më shikonin si  konkurent filluan të më thërrisnin Doktor Gozhda si analogji e aftësive të mia. Nuk u mërzita sepse në fund të fundit edhe kjo botë përbëhej nga njerëz ku interesi i tyre ishte të plotësonin nevojat e tyre. Gjithsesi për ironi unë tashmë isha Doktor edhe pse këtij titulli i bashkangjitnin edhe nofkën time në mënyrë që të ja zbehnin vlerën që ai mbartte. Zotëri i nderuar shpresoj mos t’ju kem mërzitur me historitë e mia por duhet të kuptosh që unë rradhë gjejë bashkëmoshatar që janë kaq të durueshëm dhe më dëgjojnë me kaq vëmendje si ti.  Siç e keni vënë re për mua është e rëndësishme që  të dëgjoni atë ç’ka dua të shpreh pasi nuk është se jam i aftë të imponoj mendimet e mia. Tani zotëri dua t’ju flas pak për tregun e dështakëve që mesa duket kohët e fundit ka filluar të vlersohet shumë, pasi nga rradhët e tij po marrim edhe mësimet më të vyera për ecurinë e shoqërisë sonë. Duhet të më kuptosh zotëri që kjo dëshirë e imja për të folur për këtë treg rrjedhë si rrjedhojë se askund tjetër përveç këtij nuk arrita të fitojë respektin dhe famën që aq shumë e dëshiroja. Pasi mbarova doktoraturën dhe fitova titullin “Doktor” fillova të kërkoja për punë. Ishte shumë e vështirë të gjeje një të tillë dhe pas një farë kohe pothuajse i humba shpresat. Doja edhe unë si gjithë të tjerët të gjeja një punë dhe të bëja një jetë komode. Fundja fundit çfarë kisha unë mangësi që nuk arrija të fitoja një punë, për më tepër që mbaja mbi shpatulla edhe titullin “Doktor”. S’më besohej që të tjerët ishin më të aftë se unë. Fillova të merresha sërisht me organizime dhe të merrja pjesë në çdo iniciativë vullnetare si e si të kisha mundësinë të pasuroja cv – në time. Por më kot, shpresat m’u shuan sërish. Kuptova që kështu nuk shtyhej ndaj vendosa të futesha në tregun e dështakëve, si e vetmja alternativë e mbetur dhe ndoshta atje do të kisha më shumë mundësi për një vend pune. Fillova të bëhesha pjesë e këtij tregu. Në fillim nuk kuptoja se ku isha dhe pjesë e kujt isha bërë. Fillova të takohesha çdo ditë me ata dhe të bëhesha pjesë e bisedave të tyre. Me sa kuptova niveli i bisedave për ata nuk kishte shumë rëndësi, e rëndësishme ishte të justifikonin dështimet e tyre dhe këtë e arrinin shumë mirë duke përgojuar të tjerët.  Si duket ky ishte edhe çelësi i suksesit të tregut të dështakëve, përderisa ishte një treg në lulëzim e sipër. Atëherë mendova se një gjë e tillë nuk do të ndikonte në aftësitë e mia për keq, por se ky treg do të më ndihmonte  shumë për të arritur qëllimet e mia. Në fund të fundit nuk kisha rrugë tjetër, vetëm tregu i dështakëve ishte shansi i fundit pasi i kisha provuar të gjitha. U zhyta thellë në skutat e këtij tregu saqë çdo ditë e më tepër harroja edhe shtëpinë time dhe kë kisha nga pas. Çdo ditë kishim nga një personazh të ri për të kaluar në nivelet e thashethemnajave të tregut pasi vetëm me këtë mënyrë mund të ishim të besueshëm për një masë të gjerë blerësish. Ditët kalonin dhe unë kisha filluar të ndjehesha shumë më mirë sa harrova faktin se isha i papunë. Arrita shumë shpejt të përvetsoja teknikat e suksesit të këtij tregu. Fama ime u rrit shumë shpejt dhe unë isha pikë referimi për këdo në treg. Emri i “Doktor” Gozhdës nuk mund të mungonte në asnjë tavolinë të këtij tregu. Pas një kohe relativisht të shkurtër dhe pas famës që mora në treg, arrita të siguroj një blerës të mirë, i cili më mori pranë punës së tij. Shkoja çdo ditë në punën e re por nuk ndjehesha shumë rehat në atë ambjent. Atje gjithë se kush shikonte punën e tij, ndërsa unë isha mësuar që gjithsecili duhet të shikonte punën e të tjerëve. Nuk arrita të kuptoj se ku isha. Çdo ditë që kalonte më bëri të kuptojë që blerësi im i preferuar kishte blerë në treg thjesht një dështak me parametra zero, pasi unë nuk i hyja në punë askujt.Nuk arrita të kuptoj se ku isha. Por më në fund blerësi im më shkeli syrin. Kemi një punë për ty më tha. U çlirova që më në fund po bëhesha i dobishëm.
-A je intelektual, më tha.
-Po, i thashë.
-Na shpëtova më tha. Për këtë ditë më duhesh. Na kanë kërkuar nga qeveria një peticion për të firmosur, por duhet me profesion intelektual. Pyeta shefen e kuadrit dhe tha vetëm ty të kemi marrë për këtë punë.
Firmosa pa u menduar. Dhe pas atij moment ka nisur lavdia.
Shpresoj zotëri mos të jem bërë i bezdisur dhe mos t’ju kem mërzitur me fjalët e mia. Të kuptoj që po nxiton ndaj dhe unë them ta mbyllim bisedën këtu. Jo nuk keqkuptohem. E di që ke punë sepse gjithësecili ka problemet e tij. Të falenderoj që më dëgjove dhe shpresoj të takohemi sërish dhe sa më shpejt. Ja kalofshi mirë dhe ju uroj shëndet. Mirë u dëgjofshim.




No comments:

Post a Comment