Friday, January 25, 2013

Demokracia mbi tezgë



Ka filluar koncerti parazgjedhor dhe siç po shohim të gjithë, taborët janë lëshuar. Orkestrat ekzekutojnë me përpikmëri çdo notë të pentagramit dhe dirigjentët për këtë janë shumë krenar. Veshët nuk gjejnë tashmë asnjë moment qetësie, për më tepër, ku akoma nuk ka filluar muaji i fushatës. Gjithçka bisedohet pareshtur dhe pa ndroje. Gjithkund bëhet thirrje për pjesëmarrje dhe përfshirje masive në politikë si e vetmja rrugë për të shpëtuar politikën nga vetë njerëzit. Trumbetohet Demokracia e popullit mbi të gjitha, ndërkohë sulmet ndaj njëri – tjetrit nuk kanë mbarim. Çirren nëpër ekrane, kopjojnë njëri – tjetrin si e si për të fituar elektorat për zgjedhjet e ardhshme pasi vota jonë është e vetmja mundësi shpëtimi për ta. Skenarët janë nga më të ndryshmet deri edhe në  vënien në skenë të pantomineve qesharake ku një grup të rinjsh të komanduar si delja e klonuar Dolly vetëm e vetëm që të mos i humbas përqindja e votave pa të cilën nuk mund të marrin copën e Tortës të preferuar të pushtetit. Nuk kanë frikë nga asgjë. Drejtësia për ta është një fjalë pa vlerë dhe që ka kohë që i ka humbur shkëlqimi i dikurshëm dhe aq i nevojshme për oksigjenin e shoqërisë. Integrimi nuk pi më ujë, duart e pastra tani janë gjithë myk, jetët e njerëzve të thjeshtë nuk kanë vlerë më për këtë vend, e vetmja gjë që ka ngelur tashmë mbi tezgën elektorale është Demokracia. Demokracia është e vetmja gjë e mirë që duhet shpëtuar tashmë. Duhet larguar nga ai vend ku  gjendet në shitje.

Fenomeni i sahanlëpirësve, i vjedhjeve, i vrasjeve, i pandëshkueshmërisë, i mosmirënjohjes dhe i mosnjohjes së vlerave, ai i drejtimit nga satrapët dhe pykat, ai i nepotizmit dhe i mbushjes së xhepave nga pushtetarët mbi kurrizin e njerëzve të ndershëm, luftohen nëpërmjet shpëtimit të demokracisë e cila buron nga bindja e shëndoshë e njerëzve të ndershëm që luftojnë çdo ditë për bukën e gojës. Kjo bindje duhet të përkthehet në votë, e cila më pas pjellë demokracinë dhe rendin e shëndoshë për të cilën kemi 22 vjet që e kërkojmë. Demokracia tashmë gjendet e rrezikuar mbi tezgat e bisedimeve të çaushtopçinjve të cilët nuk tremben aspak nëse me predhat e tyre godasin njerëzit e ndershëm. Ndaj të gjithë me bindje të plotë dhe me maturi prej qytetarësh europian duhet të çohemi dhe të derdhim votat  në zgjedhjet e ardhshme për shpëtimin e Demokracisë dhe të fateve të njerëzve të thjeshtë dhe të ndershëm. Topi tashmë gjendet në gjysmën e fushës sonë!



No comments:

Post a Comment