Monday, January 11, 2016

Fabulë – “Bulkthi i vogël”




     Në një pyll të vogël, me plot kafshë të ndryshëm, jetonte edhe një bulkth i vogël. Bulkthi kishte mësuar nga prindërit e tij që të punonte që të kishte një shtëpi me themele të forta, ku mund të krijonte familjen e tij dhe ta mbronte atë nga çdo fatkeqësi.

Bulkthi çdo ditë filloi të grumbullonte baltë të cilën e rrotullonte, duke kaluar përmes pyllit, për t’a shpjerë në vendin ku do të ndërtonte shtëpinë e tij. Sa herë që kalonte përmes pyllit duke rrotulluar baltën, kafshët e përqeshnin. Lepuri qeshte dhe i thoshte që s’kishte frikë nga fatkeqësitë pasi ishte aq i shpejtë sa që mund t’i shpëtonte, por bulkthi vazhdonte punën e tij pa i kthyer përgjigje. Breshka mburrej se e merrte gjithmonë me vete shtëpinë, por bulkthi as nuk i hidhte shikimin. Qukapiku tregonte aftësitë e tij për të çukitur pemët me sqep dhe i thoshte se po të qe nevoja, ishte aq i shpejt për të hapur një fole në pemë për t’u strehuar në rast rreziku, por bulkthi i vogël vazhdonte të punonte çdo ditë duke ndjekur mësimet që i kishin dhënë prindëritë e tij. Nuk kaloi shumë kohë dhe bulkthi e ndërtoi shtëpine e tij. Shtëpia ishte e bukur dhe me themele të forta.

Dimri po afrohej dhe moti çdo ditë që kalonte, përkeqësohej. Bulkthi mori familjen e tij dhe e strehoi brenda në shtëpinë e re për të qenë më të sigurt. Nuk vonoi dhe në një natë dimri filloi një stuhi shumë e fortë. Qukapiku sqepfortë u përpoq më kot të krijonte një fole në pemë pasi era e fortë e përplaste sa andej e këndej derisa e nxorri përtej pyllit. Filloi një shi i dendur dhe shumë shpejt lumi i pyllit doli nga shtrati dhe të parën rrokullisi përtej pyllit breshkën e cila ishte futur në zgavrën e saj me shpresën se do t’a mbronte. Lepuri këmbëshpejt filloi të vraponte me sa kishte fuqi për t’i shpëtuar ujit të rrëmbyeshëm të lumit, por më kot, uji e mori përpara dhe e nxorri edhe lepurin përtej pyllit. Ndërkohë që jashtë bëhej kiameti, bulkthi i vogël flinte i qetë së bashku me familjen e tij në shtëpinë e re që kishte ndërtuar me shumë mund me duart e tij.

Të nesërmen kur lindi dielli dhe moti ishte qetësuar, qukapiku, lepuri dhe breshka u kthyen në pyll, pas një nate të tmerrshme, të lodhur dhe panë që shtëpia e bulkthit të vogël vazhdonte të qëndronte në këmbë. Aty për aty doli bulkthi për të parë dëmet që mund të ishin shkaktuar nga moti i keq. Qukapiku, lepuri dhe breshka u skuqën nga turpi që ndjen kur panë bultkhin. Ndërkohë bulkthi i vogël, pa i folur, uli kokën dhe me urtësinë e tij vazhdoi sërish punën për të rregulluar dëmet e shtëpisë pasi donte të ishte i sigurt, nëse moti përkeqësohej sërish, që ai dhe familja e tij do ta bënin sërish gjumin të qetë.



No comments:

Post a Comment