Të
jesh i sigurt në atë që bën dhe në mendimet e tua për të ardhmen është gjëja më
e çmuar dhe më me vlerë që mund t’i ndodh një të riu. Dikujt mund t’i duket si
një fjali e rëndomtë por sigurisht nuk duhet të harrohet fakti që siguria në vetvete
është ndjenja e fundit që na shkon në mendje çdo ditë të jetësh sonë. E ardhmja
është e pasigurt për ne të rinjtë dhe vizioni që kemi për të nuk përputhet me dëshirat
dhe ëndrrat tona. Pasiguria na shoqëron në çdo hap. Kjo paqartësi shoqëron edhe
jetën e Zanës, një vajzë e re nga periferia e qytetit. Zana ishte nje vajzë
shembullore, nxënëse e shkëlqyer dhe vajzë korrekte me shoqërinë dhe të afërmit
e saj. Nuk i mungonte pothuajse asgjë. Kishte mbështetjen e bashkëmoshatareve të
saj dhe të familjes. Zanën në familje e shikonin si e ardhmja e ndritur. Nuk kërkonin
nga ajo asgjë veçse të ishte vetvetja, të vazhdonte të shkëlqente në shkollë
dhe të ëndërronte për të ardhmen. Kjo frymë e ngrohtë e shoqëroi të gjithë pjesën e
fëmijërisë dhe të adoleshencës së Zanës. Gjithçka filloi të ndryshojë kur Zana
kërkoi të ndryshojë rutinën e saj të jetës. Nuk kërkonte më të ishte pjesë e
asaj të përditshmeje që kishte filluar ta mërziste. Kërkonte që të mos ishte më
ajo vajza e përkëdhelur por kishte vendosur që të ishte vajza që do të merrte
përsipër edhe fatin e të tjerëve në duart e saj. Kishte vendosur që të ngjiste
shkallët e karrierës në mënyrë që t’i shpëtonte një herë e përgjithmonë
realitetit të periferisë. Kjo do ta ndihmonte atë, për më tepër sipas gjykimit të saj, do të
ndihmonte familjen e Zanës e cila e kishte rritur dhe edukuar me një mijë e një
mundime dhe sakrifica. Sipas Zanës, kjo ishte e vetmja mënyrë për t’jua
shpërblyer. Filloi të kërkonte më shumë nga vetja. Idealizmin e saj e vuri në
luftë me rutinën e përditshme. Nuk kërkonte më thjesht lëvdata, por punë dhe
vepra konkrete. Ngrinte fjalën e saj në çdo padrejtësi që shikonte. Bërtiste me
të madhe kur shikonte ndonjë person, qoftë edhe i panjohur, në rrezik. Fjala e
saj e drejtë nuk ishte e dëshirueshme për disa që kërkonin të mbanin të pa
ndryshuar rutinën e tyre pasi nëpërmjet kësaj rutine përfitimet personale për
ta ishin mjaft të majme. Zanën filluan ta paragjykonin si vajzë periferike,
filluan ta godasin në çdo hap që hidhte. Për ta fjala e saj ishte rrezik dhe si
rrjedhojë prania e saj përbënte shqetsim. Ndaj Zanën filluan ta distanconin nga
rrethi shoqëror sepse e kuptuan që ajo nuk i ndryshonte parimet e saj. Nuk
kaloi kohë dhe Zana e humbi mbështetjen që kishte pasi filloi të paragjykohej
kudo. Filloi dhe vetë të distancohej pasi nuk i përtypte dot ofendimet dhe
pseudoshoqërinë që e rrethonte. Shumë shpejt kuptoi që kishte rënë pre e një
realiteti që kërkonte të ruante rutinën pasi ishte e vetmja mënyrë jetese për
pjesën tjetër, kundërshtare me idealizmin e saj.